Ushtruesi i detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi u takua të enjten me komandantin e Komandës së Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli, Samuel J. Locklear III, ndërkaq u pohua se zvogëlimi në vazhdimësi i trupave të KFOR-it në Kosovë është faktor që tregon se në vend ka siguri dhe stabilitet.

Krasniqi, sipas Telegraf, tha se në takim kanë biseduar për bashkëpunimin që institucionet e Kosovës, Forca e Sigurisë e Kosovës, kanë me NATO-n dhe me KFOR-in, ndërsa ka falënderuar admiralin dhe gjeneralin edhe për Samitin e Lisbonës, që vlerësoi punën e sigurisë në Kosovë, si dhe ka falënderuar edhe NATO-n, edhe prezencën e KFOR-it në Kosovë, për përgatitjen profesionale të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Unë edhe një herë e garantova admiralin dhe gjeneralin e KFOR-it në Kosovë se institucionet e Kosovës, populli i Kosovës do ta shtojnë bashkëpunimin me NATO-n dhe KFOR-in. Se qëllimi ynë politik dhe institucional është integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, theksoi Krasniqi.

Top Channel