Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi kritikoi gjithë politikën kosovare, për atë që e quajti ndërhyrje të vazhdueshme në të gjitha sistemet, përfshirë median dhe drejtësinë.

Por zoti Krasniqi ka mohuar që kjo ndërhyrje bëhet vetëm nga institucionet, madje sipas tij, ndërhyrjet më të mëdha politike vijnë nga politika që zhvillohet jashtë institucioneve.

“Shpesh herë ata që bëjnë ndërhyrje me forma kërcënimi e shantazhesh, shpesh herë janë jashtë jetës institucionale edhe pse ndoshta në Kosovë nuk mund të përjashtohet as mundësia e ndikimeve nga institucionet. Prandaj, të gjitha subjektet politike i synojnë institucionet”, ka deklaruar Krasniqi.

Gjatë një debati me temën “Raporti i progresit për Kosovën për vitin 2010”, i organizuar nga Instituti për Studime Politike dhe Evropiane, ushtruesi i detyrës së presidentit tha se trajtimi që i bëhet lirisë së mediave në Kosovë është shumë i paanshëm.

“Shpesh herë edhe shtëpitë botuese të gazetave, por edhe mediat elektronike e në mënyrë të veçantë televizionet, dinë të bëjnë komente, dinë të bëjnë emisione të njëanshme, për të mos thënë se dinë të bëjnë emisione dhe shkrime me porosi. Të gjitha këto marrë së bashku, e dëmtojnë fjalën e lirë, e dëmtojnë lirinë e mediave dhe në fund të fundit, ndonjëherë, padrejtësisht dëmtojnë edhe personalitete politike”, është shprehur Krasniqi.

Në takim ndodhej edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Hans Diter Shtajnbah, i cili ka theksuar nevojën e përmirësimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, pasi në këtë mënyrë sipas tij, krijohet një klimë më e mirë për investime.

Top Channel