Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi thirri një konferencë të posaçme për media për të shuar pasiguritë rreth premtimit të tij për rritjen e pagave të arsimtarëve.

Zoti Thaçi e përsëriti zotimin se pagat për këtë kategori do të rriten 50% dhe tha se ky vendim nuk përbën shkelje ligjore dhe kushtetuese.

“Është përkushtimi im si kryeministri që nga janari i 2011-s të rriten pagat me 50. Kjo është një qëndrim legal dhe veprime të tilla i kam marrë edhe më parë kur nuk ka pasur fushatë”, deklaroi Thaçi.

I pyetur nga Top Channel se mbi çfarë baze ligjore merret vendimi për ngritjen e pagave kur projektbuxheti nuk është miratuar akoma në kuvend zoti Thaçi u përgjigj.

“Une siguroj dhe garantoj të gjithë mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm se që nga janari i vitit të ardhshëm do t’i marrin pagat e rritura me 50%”, është shprehur Thaçi.

Opozita dhe njohësit e çështjeve ekonomike e kanë kritikuar kryeministrin Thaçi se po merr vendime të nxituara dhe të paligjshme në kohë fushate.

Top Channel