Zgjedhjet e së dielës për kryetar të komunës së Rahovecit ishin më tepër se një proces lokal. Ishin zgjedhje ku forcat më të mëdha politike në Kosovë, PDK dhe LDK shfaqën forcën e tyre.

LDK kryeson në rezultatin e parë që dha KQZ dhe kryetari Isa Mustafa e sheh këtë fakt si një impuls për LDK-në.

“Sa i takon zgjedhjeve në Rahovec mendoj se pjesëmarrja jonë, transparenca dhe procesi i rregullt zgjedhor treguan se në Kosovë ka një kulturë të mirëfilltë politike dhe votat që kanë qenë për LDK-në tregojnë mbështetjen ndaj kësaj partie”, ka deklaruar Mustafa.

Edhe kampi tjetër, PDK nuk e sheh më ndryshe. “Është një hap i mirë që ka ardhur si pasojë e punës së mirë që është bërë atje. Është cështje e qytetarëve që të japin verdiktin”, ka deklaruar Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK-së.

E teksa vetë kreu i PDK-së, Hashim Thaçi thjesht e ka përshëndetur procesin e së dielës, për analistët politikë ky proces vlerësohet si një paralajmërim i hershëm se do të kemi ashpërsim të raporteve ndërmjet taborreve të partive politike.

“Rahoveci është një paralajmërim se duhet të ketë angazhim, në ato masa që mund të ketë destabilizim, pasi këta që janë në pushtet do luftojnë për ta mbajtur, ndërsa të tjerët për ta marrë”, është shprehur Behlul Beqaj, analist politik.

Ndërkohë që të dy forcat politike më të mëdha në Kosovë, pas Rahovecit kanë deklaruar se presin rritje në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 12 dhjetor.

Top Channel