Sot në orën 7 të mëngjesit ka filluar votimi për të zgjedhur kryetarin e komunës së Rahovecit, në Kosovë.

Rreth 9 mijë banorë me të drejtë vote do të kenë mundësi që të zgjedhin kryetarin e komunës së tyre duke vendosur për një nga pesë kandidatët e subjekteve politike që vijnë nga radhët e LDK-së, PDK-së, AAK-së, LDD-së dhe AKR-së.

Në orën 7, sipas KQZ-së, janë hapur të 34 qendrat e votimit me gjithsej 71 vendvotime.

Deri tani, sipas Burim Lezit, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor, proçesi është duke vijuar normalisht dhe pa probleme.

Ndërsa nga rrjeti i organizatave joqeveritare, “Demokracia në veprim”, në disa vendvotime janë shënuar parregullsi që kanë të bëjnë me votime familjare apo publikime të votës.

Sipas OJQ-së, në një nga zonat është ndaluar për një orë votimi për shkak të fyrjeve që kanë pasur mes tyre përfaqësuesit e subjekteve politike, por më pas situata është normalizuar.

Ndërkohë KQZ-ja bën të ditur se deri në orën 11:30 kanë dalë për të votuar 8.21% e votuesve.

Zgjedhjet e sotme shikohen si një përgatitje e klimës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 12 dhjetor.

Top Channel