Ashtu siç kishte deklaruar ish-ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis ka krijuar në mesditën e së dielës partinë e re të djathtë me emrin Aleanca Demokratike.

Në një prej teatrove të Athinës, në praninë e rreth 3000 simpatizantëve , kryesisht nga vendlindja e saj Kreta, Bakojanis ka bërë realitet një vendim që kishte marrë qysh kur u shkëput nga rradhët e Demokracisë së Re, pasi ka fituar kryesinë e konservatorëve disa muaj më parë, një prej kundërshtarëve të saj më të fuqishme në vite, Andonis Samaras.

Carja e madhe në gjirin e konservatorëve ka ndodhur pas aprovimit të Memorandumit të Ndihmës dhe Stabilitetit Ekonomik në parlamentin grek prej një pjesë të deputetëve të Demokracisë së Re, midis tyre edhe Bakojanis, të cilët më pas janë përjashtuar nga partia e madhe e opozitës.

Pikërisht këta deputetë përbëjnë thelbin e partisë së re të spektrit të djathtë, ndërsa ish-shefja e diplomacisë greke, ka shprehur besimin se do të thithë në gjirin e kësaj partie shumë prej të ashtuquajturve liberalë të qendrës dhe deputetë konservatorë.

Por Bakojani kërkon përreth saj edhe njerëz të rinj të distancuar nga politika e deritanishme që ka ngjallur zhgënjim dhe mospërfillje ashtu siç u pasqyrua me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e fundit për administratën lokale.

Tashmë në skenën politike greke e djathta përfaqësohet nga tre parti, midis tyre edhe ultranacionalistët, të cilët nuk kanë shprehur asnjë alternativë për të bashkëpunuar kundër socialistëve të Papandreut, që udhëheqin vendin në momentet më kritike, kur ai përballet me krizën e thellë ekonomike.

Në mesditën e së hënës Dora Bakojanis ka kërkuar takim edhe me presidentin Papulias të cilit do i komunikojë krijimin e partisë së re nën udhëheqjen e saj, ndërsa do të diskutojë edhe për problemet ekonomike dhe politike që po kalon Greqia.

Top Channel