Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, se kryetari i Rahovecit Qazim Qeska ka shkelur Kushtetutën duke u kthyer në punë 47 ditë pasi ka dhënë dorëheqjen, çoi Komunën e Rahovecit drejt zgjedhjeve të parakohshme për pushtetin lokal.

Pas një fushate që u mbyll këtë të premte, të dielën e kësaj jave, qytetarët e Rahovecit do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin legjitim.

Në garë për kryetarë të komunës së Rahovecit janë, Xhelal Canziba nga PDK-ja, Ibrahim Kryeziu nga LDK-ja, Smajl Latifi i AAK-së, Rexhep Oruqi nga AKR-ja dhe Luljeta Kadiri nga LDD-ja.

Gjatë fushatës zgjedhore, qytetarët e Rahovecit kanë dëgjuar premtimet e kandidatëve për kryetar komune.

Secili prej tyre ka premtuar zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies sociale dhe uljen e nivelit të papunësisë.

Një nga punët me prioritet për kandidatin e PDK-së është zhvillimi i sektorit të bujqësisë.

Ai ka premtuar subvencione për vreshtarët dhe tregtarët e tjerë. Ai ka pasur vazhdimisht mbështetjen e kryeministrit Thaçi i cili premtoi se do të sigurojë tregun për rrushin që kultivohet në Rahovec.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq ka folur për 180 projekte të cilat do të realizohen brenda tri vjetëve nëse kandidati i kësaj partie merr detyrën e të parit të komunës.

Kandidati i LDK-së Ibrahim Kryeziu, ka akuzuar PDK-në se gjatë mandatit qeverisës të saj ka munguar qeverisja transparente e përgjegjshme dhe profesionale.

Edhe kandidati i AAK-së Smajl Latifi ka premtuar punë më të mirë nëse merr mbështetjen e qytetarëve me 21 nëntor.

E po kështu edhe kandidatja e LDD-së, Luljeta Kadiri.

Zhvillim të  qëndrueshëm ekonomik ka premtuar edhe nga kandidati Rexhep Oruqi që vjen nga radhët e partisë së  Behxhet Pacollit.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në komunën e Rahovecit janë të regjistruar rreth 49 mijë votues me të drejtë vote.

Përgatitjet ndërkaq janë bërë për 34 qendra votimi dhe 71 vendvotime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA