Pavarësisht se e konsiderojnë si një çështje me pak rëndësi, serbët shprehen në shumicë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Këto janë një pjesë e rezultateve të një sondazhi të bërë publik se fundi, ku gjithashtu për shumë serbë Bashkimi Europian nuk shihet si gjë e mirë.

67 përqind e serbëve të anketuar mendojnë se Serbia nuk duhet të pranojë në asnjë lloj mënyre pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë 44 përqind e të anketuarve shprehen pozitivë për BE-në, ndërsa pjesa tjetër është kundër BE-së.

Megjithatë nëse do të votohej në një referendum për integrimin në Bashkimin Europian 63 përqind e serbëve do të votonin pro këtij vendimi, ndërsa pro anëtarësimit në NATO janë vetëm 13 përqind.

Sondazhi i Gallup tregon se serbët kanë vështirësi ekonomike, megjithëse vetëm 19 përqind e tyre janë shprehur se do të largoheshin menjëherë dhe që janë shprehur skeptikë për zhvillimin ekonomik.

Ndërkohë një pjesë e konsiderueshme e të pyeturve mendojnë se në rajon do të ketë sërish luftë brenda 5 viteve të ardhshme.

Top Channel