Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që EULEX-i të përfshihet në proçesin zgjedhor, në të cilin ka hyrë Kosova.

Kjo kërkesë e LDK-së e datës 15 nëntor, që mban nënshkrimin e kryetarit të saj, Isa Mustafa, kopjen e së cilës e ka siguruar Top Channel, kërkon nga KQZ-ja që EULEX-i të përfshihet në proçesin e sigurisë së votës, sidomos gjatë bartjes së kutive të votimit drejt qendrave të numërimit.

Por, në Këshillin për Operacionet Zgjedhore të KQZ-së thonë se EULEX-i është caktuar si partner sigurie edhe më herët, në kohën kur është hartuar “Plani Operacional për Zgjedhjet e 12 dhjetorit”.

“KQZ ka miratuar planin e sigurisë ku janë përfshirë partnerët kryesorë në Kosovë. Ne kemi edhe dhomën operative këtu në KQZ ku gjenden pjesëmarrës nga policia e Kosovës dhe EULEX-i”, është shprehur Ilir Fetahu, kryesues i Këshillit për Operacionet Zgjedhore.

Ndërsa, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi tha për Top Channel se “roli i EULEX-it në ditën e zgjedhjeve do të jetë mbështetja e Policisë së Kosovës, përmes monitorimit, udhëzimit dhe këshillimit”.

Një anëtar i KQZ-së në kushte anonimiteti tha po ashtu për Top Channel se kjo kërkesë e LDK-së nuk do të shqyrtohet fare në KQZ, sepse EULEX-i është pjesë e mekanizmave të sigurisë gjatë proçesit zgjedhor siç është parashikuar edhe me “Planin Operacional”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA