Ndonëse nuk ka qenë e njohur deri më tani, çështja e marrjes së nënshtetësisë shqiptare nga shtetas të Kosovës ka kohë që është shtruar për diskutim nga politikanet e institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Një nga momentet është hapja për qarkullim e krahut të dytë të tunelit të Kalimashit.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani shpjegon se gjatë një dreke pas përurimit të tunelit, ka kërkuar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha të ndryshohet ligji për shtetësinë dhe të futen amendamente të cilat garantojnë nënshtetësinë shqiptare pa kriteret aktuale për të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

“Ata janë pajtuar që ta bëjnë këtë, por janë pajtuar që kjo të shkojë si proces dhe jo në mënyrë të menjëhershme. Besoj që sipas fjalëve dhe deklarimeve edhe të ministrit të Shqipërisë, por edhe të kuvendit të Kosovës, kjo do të jetë një proces që do të përfundojë në pranverë”, deklaron Hasani.

Por zëvendëskryeministri i Kosovës në largim Hajredin Kuçi, ka një përgjigje tjetër për këtë çështje.

“Unë i ftoj qytetarët e Kosovës që të mos ngarendin pas kësaj, duke pasur parasysh që ne do të jemi shpejt në këtë rrugëtim dhe do të marrim identitetin tonë edhe përmes pasaportës. Natyrisht se shteti shqiptar është i pavarur dhe mund të vendosë vetë për procedura e dhënies së nënshtetësisë”, shprehet Kuci.

Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë nuk ka bërë publike shifrën e shqiptarëve të interesuar për nënshtetësi shqiptare, por ka thënë se numri është rritur dukshëm pas vendimit të lëvizjes pa viza për Shqipërisë në zonën Shengen.

Top Channel