Në mënyrë që më 12 dhjetor zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të jenë të rregullta dhe të mos manipulohen, vetëm rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” do të ketë 4800 vëzhgues që do të punojnë në dy turne.

Monitorimi i zgjedhjeve të dhjetorit nga kjo OJQ është mbështetur edhe nga ambasada të ndryshme të akredituara në Prishtinë.

“Unë kam besim në këtë sistem. Arsyet pse e përkrahim “Demokracinë në Veprim” në këtë proces monitorimi është që t’i tregojmë qytetarëve që i gjithë procesi është duke shkuar ashtu sic e kërkon ligji. Duke pasur parasysh se mund të mos ketë një certifikim ndërkombëtar për arsye të problemeve që janë të njohura, është më rëndësi që ky kredibilitet të garantohet me monitoruesit lokalë”, ka deklaruar Hans Dieter Steinbach, ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

Koalicioni “Demokracia në Veprim” ka monitoruar para një viti zgjedhjet lokale. Ndërsa, edhe kësaj radhe planifikikon që përveç konferencave të shpeshta ku do të tregojnë për problemet dhe përparësitë e proçesit zgjedhor, të dalin edhe me rezultate jopërfundimtare për atë se si kanë vendosur qytetarët me të drejtë vote.

Më 12 dhjetor pritet që në Kosovë të zbarkojnë edhe monitorues ndërkombëtarë që do të vëzhgojnë proçesin e votimit.

Po ashtu, “Demokracia në Veprim” gjatë së enjtes ka filluar fushatën e thirrjes për të votuar për Kuvendin e Kosovës.

Top Channel