Dy partitë e koalicionit qeveritar në Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe BDI kanë tërhequr sot, në komisionin parlamentar për sistemin politik, amendamentet e tyre të propozuara për plotësimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur burime brenda koalicionit. Rreth 15 amendamente ishin propozuar nga dy partitë aleate, të cilat kishin mosmarrëveshje rreth realizimit të procesit të regjistrimit.

Mes tyre ishte edhe një i propozuar nga VMRO-DPMNE, që nuk lejonte regjistrimin e qytetarëve të cilët prej më shumë se një viti jetojnë jashtë shtetit.

Ndërkohë, partia shqiptare Demokracia e Re ka reaguar duke fajësuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, se ka bashkëpunuar me partinë e kryeministrit Gruevski në dëm të shqiptarëve.

“Partia e Ali Ahmetit ka tradhtuar interesat kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë dhe diasporës. Përgjegjësia për këtë dëm që po u bëhet shqiptarëve bie vetëm mbi supet e BDI-së”, thuhet në një komunikatë të DR-së.

Top Channel