Zhvillimi i zgjedhjeve më 12 dhjetor në Veriun e Kosovës edhe pas gati 3 vjet shtet mbetet sfidë për institucionet kosovare.

Mungesa e autoritetit të Prishtinës zyrtare në këtë pjesë prej një dekade ka bërë që të kërkohet më shumë mobilizim në mënyrë që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe që proçesi zgjedhor të jetë i rregullt.

“Policia ka potencial ta mbajë nën kontroll Kosovën, por në veri duhet një prani më e madhe e EULEX-it dhe KFOR-it”, ka deklaruar Bajram Rexhepi, ministër i Brendshëm në largim i Kosovës.

Shpeshherë drejtorët serbë të shkollave në Veri nuk kanë lejuar përdorimin e objekteve arsimore si qendra të votimit.

Në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve tregojnë se i kanë bërë gati planet që nëse diçka e tillë ndodh, atëherë të krijohen mundësi të tjera për të votuar.

“Ne si KQZ do bëjmë përpjekjet maksimale me autoritetet kompetente që të hapen qendrat e rregullta të votimit. Në mungesë të kësaj, KQZ i ka të përgatitura edhe qendrat alternative”, ka deklaruar Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

Mos shtrirja e pushtetit në këtë pjesë të Kosovës bëri që më 2009, ndonëse ishin mbajtur zgjedhjet lokale për kryetar të komunave, të rezultojnë pa efekt.

Në komunat veriore, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok u patën zgjedhur kryetarët shqiptarë të këtyre komunave, ku pjesëmarrja e votuesve ishte shumë e ulët edhe përkundër thirrjeve për përfshirje në zgjedhje.

Por, pavarësisht kësaj, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë, ata kurrë nuk e morën mandatin e tyre.

Top Channel