Dhjetëra protestues u përleshën me policinë jashtë ambasadës amerikane në Athinë, gjatë protestave të organizuara në kujtim të protestës studentore të vitit 1973.

Grupi i protestuesve, për të cilët policia thotë se janë anarkistë, qëlloi me gurë dhe mjete të forta mbi forcat e rendit, të cilat u përgjigjën me kimikate dhe gaz lotësjellës.

Nga përleshjet nuk pati të plagosur, ndërsa policia njoftoi se ka ndaluar në pika të ndryshme të kryeqytetit helen më tepër se 45 persona.

Autoritetet deklaruan se mbas verifikimeve, personat që nuk rezultuan se janë përfshirë në vepra penale do të lirohen, kurse autorët e akteve të dhunës do t’i dërgohen drejtësisë.

Policia thotë se kishte informacion për akte të përshkallëzuara dhune, por duket se reshjet e shiut që zgjatën deri mbasdite vonë në kryeqytetin helen prishën planet e anarkistëve.

Mbas përfundimit të protestave, situata në Athinë paraqitet e qetë, ndërsa për arsye sigurie, mijëra policë do të patrullojnë rrugët gjatë gjithë natës.

Top Channel