Malmstrom: Nuk do kërkohen para në doganë

16/11/2010 08:30

Komisionerja për Çështjet e Brendshme në Bashkimin Europian, Cecilia Malmstrom, theksoi në mënyrë të qartë se shqiptarët që po presin të udhëtojnë pa viza drejt Europës, nuk duhet të tregojnë para ose karta krediti në kufij.

Ndonëse zyrtarja e lartë e BE-së theksoi se shqiptarët mund të pyeteshin në kufij në lidhje me udhëtimin e tyre, kjo nuk do të thoshte që ata ishin të detyruar të jepnin informacion mbi të ardhurat që dispononin.

“Atyre mund t’u bëhen sigurisht pyetje kur të arrijnë në kufi, por kjo nuk do të thotë që duhet të kenë me vete dhe të tregojnë një shumë të caktuar parash ose një kartë krediti”, theksoi Malmstrom, e cila pak ditë më parë zhvilloi një vizitë dhe në vendin tonë.

Sipas komisioneres, pas 15 dhjetorit të këtij viti, shqiptarët do të mund të lëvizin lirshëm në Europë, konform kushteve të unionit. Por ajo theksoi se kjo lëvizje mund të kryhej vetëm me pasaportat e reja biometrike.

“Qytetarët që duan të përdorin sistemin, duhet të kenë patjetër pasaportat biometrike. Po ashtu duhet të dinë se i jepet mundësia e qëndrimit në Bashkimin Europian vetëm për tre muaj. Nëse qëndrojnë më gjatë, qëndrimi i tyre kthehet në të jashtëligjshëm”, theksoi Malmstrom, duke i cilësuar këto si rregullat e vetme për lëvizjen e lirë.

Top Channel