KQZ, rritet paqartësia për fletët e votimit

16/11/2010 08:15

Tërheqja e Partisë Socialiste nga kërkesa për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit 2009, pa këqyrur fletët e votimit, ka krijuar një perspektivë të re edhe për administrimin e procesit të ardhshëm.

Duke qenë se pretendimi i deritanishëm i saj ka diktuar konservimin tej afateve të kutive të materialeve zgjedhore dhe atyre të fletëve të votimit, është e pritshme që ndryshimi i qëndrimit të lërë të hapur mundësinë e rishikimit të vendimeve të marra deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ky i fundit, në mbledhjen e fundit të zhvilluar për këtë çështje, ka vendosur shtyrjen pa afat të diskutimit për kutitë, asgjësimin e fletëve të votimit dhe arkivimin e materialit zgjedhor.

Ky akt, në vetvete, minimalisht ka çuar në një ripërcaktim buxhetor për zgjedhjet e ardhshme, me një rritje të paktën 600 milionë lekësh shtesë, sa është edhe çmimi për blerjen e kutive të reja.

Lidhur me këtë problem, burime nga qeveria bëjnë të ditur se Kryeministri ka dhënë në rrugë verbale garanci për zhvillimin normal të zgjedhjeve, pavarësisht se cili do të jetë fati i kutive të fletëve të votimit.

D.m.th. në pikëpamje financiare, procesi politik që është qendërzuar teorikisht rreth hetimit të zgjedhjeve nuk pengon zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Megjithatë, ndryshimi i bërë befas nga selia rozë, duket se krijon mundësi për menaxhim më të mirë të fondeve, për sa kohë që duke u nisur nga deklaratat e Edi Ramës në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, është dhënë miratimi për asgjësimin e fletëve të votimit.

Kjo situatë ka krijuar disa paqartësi në KQZ, e cila do të duhet të mblidhet sërish për të rishikuar vendimin e fundit.

Top Channel