Kryeprokurori i gjykatës së Hagës, Serge Brammertz është shprehur i bindur se gjenerali i shumëkërkuar Ratko Mlladic fshihet në Beograd.

“Hipoteza kryesore e hetimit tonë është se zgjidhja e cështjes për arrestimin e Mlladic ndodhet në Beograd”, ka deklaruar Brammertz.

Ai ka nënvizuar se Mlladic nuk fshihet i vetëm dhe ka theksuar se hetimet janë përqendruar pikërisht tek ndihmësit e tij.

“Nëse Mlladic ka qenë i suksesshëm në fshehjen e tij, atëherë sigurisht që kjo ka arsyet e veta. Ai është profesionist, di sesi të fshihet dhe ndërmerr kundërmasa. Por është e sigurt se ai nuk është i vetëm, se jeton me mbështetjen e personave të tjerë dhe kjo është pjesë e hetimeve”, ka shtuar Brammertz.

Sipas tij, nga viti 2008 e deri më sot qeveria serbe ka shënuar progres në bashkëpunimin me gjykatën e Hagës, por ka ende hapësira për më shumë angazhim.

Top Channel