Në kutitë e votimeve u kthyen përseri prej orës shtate të mëngjesit 9.800.000 grekë në turin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të nxjerrë fituesit e 11 qarqeve dhe 221 bashkive në vend.

Gjate javës së kaluar dy partitë e mëdha kanë rritur përpjekjet për të minimizuar mospjesmarrjen që kapi shifrën prej 40% të dielën e parë, kur socialistët në pushtet, kanë mundur në distancë tepër të ngushtë, konservatorët me një nivel prej dy pikësh, kundrejt 10 pikëve në zgjedhjet elektorale të një viti më parë.

Athina zyrtare ripërsërit se nuk do të ndërmarrë masa të ashpra financiare, pavarësisht defiçitit të rritur nga rishikimi i EUROSTAT-it për vitin 2009. Por opozita paralajmëron qytetarët se nëse do të mbështesin kandidatët socialistë, qeveria e Papandreut do të vazhdojë reformat financiare me reduktime të rrogave dhe pensioneve në sektorin shtetëror apo edhe shkurtime të dhjetëra mijëra vendeve të punës.
 
Shtypi i së dielës flet hapur për masat e reja që do ndërmarrë qeveria në administratën shteterore. Gjithashtu kryeministri Papandreu thekson në intervistën e tij në gazetën “Proto Thema” se kabineti i tij po negocion për zgjatjen e kohës së shlyerjes së kredisë ekonomike prej 110 miliard euro që mori Greqia nga FMN dhe BE.

Proçesi i sotëm përbën një test të ri për popullaritetin në rënie të qeverisë Papandreu dhe mundësinë e saj për të çuar deri në fund reformat antikrizë. Një rezultat negativ do të vështirësonte pozicionin e saj në sytë e grekëve, por edhe të tregjeve ndërkombëtare që ndjekin më tepër interes çdo hap të saj në zbatimin e masave anti-krizë.

Top Channel