Mjekët: Diabeti në rritje

14/11/2010 17:05

Numri i shqiptarëve të prekur nga diabeti, siç njihet ndryshe sëmundja e sheqerit po vjen në rritje nga viti në vit.

Mjekët specialistë raportojnë për 40 mijë pacientë të diagnostikuar me diabet, por numri i diabetikëve mendohet të jetë 2-3 herë më i lartë.

Sipas endokrinologut në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë, Flori Toti, nga depistimet e kryera 5 vitet e fundit, prevalenca e diabetit të padiagnostikuar ka qënë 3-4 %, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë.

Në një intervistë për Top Neës, mjeku thotë se diabeti i tipit dy përveç moshave aktive për punë, tashmë po prek dhe fëmijët.

Diabeti është një sëmundje me zhvillim të ngadaltë ,dhe shpesh të ”heshtur” ndaj mjekët specialistë bëjnë apel për sensibilizimin, informimin  e komunitet për njohjen e diabetit.

Me apelin e tyre është bashkuar dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Në ditën botërore të luftës kundër diabetit, mjekët specialistë të QSUT-së kryen teste falas të matjes së glicemisë e cila përcakton nivelin e sheqerit në gjak, shifrat e së cilës përcaktojnë në je i prekur apo rrezikon të prekesh.

Aktualisht mjekimi i diabetikëve në Shqipëri ka një mbulim të mirë, rreth 95 përqind e insulinës me të cilën mjekohen diabetikët, rimbursohet nga shteti. Por mjekët e cilësojnë të rëndësishme rimbursimin dhe të aparateve të matjes së glicemisë për pacientët e prekur me diabet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA