Mazhoranca: Mirëpresim ofertat e PS

14/11/2010 17:40

Mazhoranca, përmes LSI-së,  tha se po shqyrtohet me seriozitet çdo ofertë nga opozita përveç kërcënimeve për përmbysje të qeverisë përmes dhunës.

Në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama shprehu bindjen se mazhoranca ka shqyrtuar dhe do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha ofertat e ardhura nga opozita për daljen nga ngërçi politik që ka mbërthyer vendin.

“Unë jam i bindur se vëmendja dhe gatishmëria e qeverisë për të parë me seriozitet çdo ofertë realiste që vjen nga Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet permanente. Ajo çka pritet janë hapat konkretë për të shkuar tek dialogu dhe zgjidhja politike për kapërcimin e situatës dhe jo paralajmërimet ngjeliste për kryengritje dhe shtrirje në të gjithë territorin e Shqipërisë të fenomenit të njohur të Dukatit”, u shpreh sekretari Rama.

Top Channel