Fier, 10 ditë pa drita

14/11/2010 10:15

Banorët e Cakranit në Rrethin e Fierit kanë zhvilluar protestë paraditen e së shtunës.

Shkak ka qenë mungesa e energjisë elektrike prej dhjetë ditësh. Ndërsa banorët kërcënojnë me përshkallëzim të protestës, drejtuesit e CEZ në Fier nuk kanë dhënë shpresa për zgjidhje të shpejtë, por kanë deklaruar se pas së hënës mund të ketë trajtim të çështjes.

Janë afro 800 banorë, ose më tepër se 120 shtëpi në fshatin Buzëmadh të Komunës Cakran, rreth 18 km larg Fierit, ata që kanë dhjetë ditë që nuk po furnizohen me energji elektrike. Banorët i janë drejtuar hyrjes së fshatit dhe kanë kryer një protestë kundër kompanisë CEZ, duke kërkuar energji, ashtu siç e parashikon edhe kontrata që ata kanë firmosur me autoritetet përkatëse.

Gjithashtu banorët tregojnë se e paguajnë energjinë rregullisht, kurse nga kompania nuk marrin asnjë reagim, por vetëm heshtje. Banorët shprehen të indinjuar se janë paralizuar në veprimet e tyre, si shkak i mungesës së energjisë, kurse fëmijët nuk mësojnë dot në errësirë.

Frika prej zjarreve shkaktuar nga qirinjtë dhe drutë, si dhe ndriçuesit me vajgur- kjo edhe pas ngjarjes tragjike të vdekjes së katër fëmijëve në Sukth -mbizotëron edhe te këta banorë.

Mungesa e energjisë në këtë zonë ka bërë që edhe furrat e pjekjes së bukës mos të funksionojnë. Të zhgënjyer nga periudha e gjatë në pritje të kthimit të energjisë, banorët kanë kërcënuar se do të bllokojnë rrugën kombëtare Fier-Vlorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA