Vizat, Malmstrom: Mos abuzoni

13/11/2010 00:15

Cecilia Malmstrom e kishte paralajmëruar në këtë konference për shtyp më 8 nëntor, se do të vinte në rajon. Vizita e saj në Tiranë sigurisht nuk kishte për qëllim që të përgëzonte autoritetet për heqjen e vizave.

Fakti që komisionerja Cecilia Malmstrom dhe përfaqësuesi i Presidencës belge të Bashkimit Europian, përveç autoriteteve u takuan edhe me të rinj e studentë për të vjelë perceptimin e tyre për proçesin e liberalizimit të vizave, tregon se kjo vizitë kishte për qëllim në radhë të parë të përcillte shqetësimin e Europës për keqpërdorimet që mund t’i bëhen proçesit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, në kohën kur në sheshin Nënë Tereza po festohej, ata bënin këto deklarata:

“Pra është një mundësi e madhe, por bashkë me të vijnë përgjegjësitë e mëdha. Për fat të keq e kemi parë edhe në vende të tjera se është abuzuar me mundësitë e ofruara. Pra ne realisht inkurajojmë çdokënd për të ndërmarrë aksione pozitive nisur nga këto mundësi, duke mbajtur gjithashtu parasysh kufizimet. Ne nuk duam të shohim abuzime siç kemi parë në vende të tjera dhe Komisioni do ta monitorojë nga afër situatën”, tha komisionerja Malmstrom.

“Si president i Këshillit, më duhet të shtoj se disa vende janë vërtet ngurruese në lidhje me liberalizimin e vizave, sepse, siç e tha edhe komisionerja, disa njerëz kanë abuzuar, apo disa njerëz kanë keqpërdorur liberalizimin e vizave, çka sigurisht është e papranueshme për vendet europiane. Liberalizimi i vizave krijon të drejta, ura lidhje, mundësi për Europëm dhe për Shqipërinë, por krijon gjithashtu detyrime. Ju duhet ta respektoni liberalizimin e vizave për atë që është, që do të thotë mundësi për të lëvizur, për të vizituar, për të vizituar vende, për të vizituar familje, por jo më shumë se kaq. Ndaj përdoreni me kujdes për të përmbushur një histori suksesi mes Shqipërisë dhe Europës”, u shpreh përfaqësuesi i presidencës belge, Malchior Wathelet

Më herët gjatë pasdrekës kryeministri i kishte dhënë garanci delegacionit europian se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për të parandaluar abuzimet.

Në rast abuzimesh sistematike vendet anëtare të zonës Shengen ruajnë të drejtën që t’i rivendosin vizat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA