Tryeza e opozitës: Nisim protestat

13/11/2010 15:55

Një ditë pas Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, tryeza e opozitës ka vendosur të nisë protestat në të gjithë vendin, me qëllim rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Berisha.

“Tryeza e opozitës sot vendosi që këtë gjendje të rëndë, shumë të rëndë, ta ndryshojë me një aksion shumë të madh politik. Për një lëvizje masive protestash në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Në këto kushte ne vendosëm t’i drejtohemi opinionit publik për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe rrëzimin e kësaj qeverie sa më shpjet që të jetë e mundur”, ka deklaruar kryetari i partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela.

Në emër të opozitës, zoti Ngjela u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me opozitën për të rivendosur, sic tha ai, demokracinë në vend, të rrezikuar nga veprimet e kryeministrit Berisha.

“Opozita do mbështesë frymën e popullit, frymën që patë në Dukat për të mbrojtur të drejtat dhe i bën thirrje të gjithë njerëzve që janë të prekur në të drejta, në dinjitet, në pronë, në gjithçka që shikojnë, të bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje, e cila që nesër fillon e merr formë në të gjithë Shqipërinë”, ka theksuar Ngjela.

I pyetur nëse në protesta do të ketë veprime si në Dukat, ku policia u qëllua me gurë, zoti Ngjela dha këtë përgjigje:

“Bandat goditen me çdo mjet. Shqiptarët duhet të jenë aktivë për të mbrojtur të drejtat e tyre sepse kjo është një grabitje e madhe”.

Ajo për të cilën opozita bën përgjegjës kryeministrin Berisha është edhe sjellja e tij me institucionet.

“Sali Berisha po bën grusht shteti të fshehtë. Kërkon në mënyra banale dhe antidemokratike të vërë në dorë të gjitha institucionet dhe po i rrëzon një nga një të gjitha, me përjashtim të presidentit të Republikës”, është shprehur Ngjela.

Ndërkohë, opozita ka vendosur të shkojë përpara njëkohësisht edhe me mocionet e mosbesimit në Parlament ndaj kryeministrit Berisha dhe kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, duke rikonfirmuar gjithashtu edhe deklaratën e një dite më parë të kryetarit Rama për kutitë me fletët e votimit, edhe pse opozita nuk bëri të qartë, nëse kjo do të thotë që ajo është e gatshme të pranojë djegien e fletëve të votimit, pas hapjes së kutive të materialeve zgjedhore.

“Ne kemi vendosur që të mbështesim mocionet e mosbesimit në Parlament dhe përgjigjen për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. Kutitë e tjera nuk i duam”, ka shtuar Ngjela.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA