Specializimet e mjekëve, rrezikohen të digjen

13/11/2010 08:30

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë, që presin të zhvillojnë konkursin përzgjedhës për specializimet rrezikojnë të mbeten edhe një vit pa specializim.

Edhe pse ndodhemi në muajin nëntor, edhe pse vendimi për kuotat e specializimeve është marrë në mars të këtij viti, ende nuk është shpallur zyrtarisht programi për orientimin e studentëve për zhvillimin e konkursit.

Po ashtu ende nuk janë shpallur procedurat që do të ndiqen, si do të zhvillohet testi e cilat do të jenë kompetencat e dekanatit dhe të departamenteve, si do të organizohen komisionet përzgjedhëse.

Po ashtu nuk është marrë mendimi i studentëve të fakultetit për sa u takon procedurave të zhvillimit të konkursit me miratimin e rregullores së re.

Në këtë mënyrë, rrezikohet që kuotat e miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave të digjen, nëse nuk merren masa deri në fund të muajit dhjetor.

Vonesat dhe paqartësitë kanë bërë që këto ditë të organizohet shoqatat studentore, të kërkohet ndihmë tanimë nga strukturat mbi dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë dhe të njoftohet zyrtarisht kryetari i konferencës së rektorëve njëkohësisht edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Nga ana tjetër, studentët janë duke përgatitur një peticion, lidhur me të gjitha të dhënat jozyrtare që kanë mbledhur për mënyrën sesi do të organizohet konkursi.

Sipas rregullores së re nuk pranohen në konkurs mjekët që kanë mbushur moshën 35 vjeç.

Vlerësimi maksimal në konkurs mendohet se do të jetë me 1 mijë pikë. Nga këto 500 pikë do t’i ketë mesatarja, që kërkohet të jetë mbi 7. 250-300 pikë do të ketë testi dhe 200 pikë mendohet se do të ketë intervista e konkurrentëve, më tepër e profilizuar në sferën e përgjithshme.

Edhe pse është arritur të grumbullohet ky informacion nga studentët, ende i papublikuar zyrtarisht dhe i pashpallur publikisht, çështja e pikëve dhe mënyra e renditjes së tyre nuk është pëlqyer aspak nga shumica e studentëve.

Më 30.07.2010 senati akademik i Universitetit të Tiranës miratoi rregulloren e konkursit për programin e studimit të specializimeve afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë të UT-së për vitin akademik 2009-2010.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA