Malmstrom: Sot festë, nesër kujdes…

13/11/2010 19:45

Komisionerja për Cështjet e Brendshme të Bashkimit Europian, Sesilia Malmstrom, që vizitoi dje Tiranën në kuadër të një turi informues me shqiptarët për të drejtat dhe detyrimet e tyre pas liberalizimit të regjimit të vizave, u shpreh se pas festes nisin përgjegjësitë.

Në një intervistë për Top Channel, zonja Malmstrom paralajmëroi për sanksione nëse qytetarët shqiptarë shkelin rregullat e vendosura nga BE, duke mos përjashtuar edhe deri anulimin e vendimit për lëvizjen e lirë.

TCH: Zonja Malmstrom, është thënë se vizat mund të rivendosen nëse ka një numër të lartë dhe sistematik azil-kërkuesish. Sa duhet të jetë ky numër?

Malmstrom: Nuk ka numër. Ne sot propozojmë dicka që do të bëjë të mundur për qytetarët shqiptarë të udhëtojnë dhe të vizitojnë vendet europiane. Kjo është një kauzë shumë e mirë. Por sigurisht, nëse ne shohim abuzime, njerëz që vijnë për t’u instaluar, për të punuar në Europë, apo që kujtojnë se kjo mundësi ofron të drejtën për të kërkuar azil, atëhere do të duhet të diskutojmë me autoritetet shqiptare. Dhe nëse ka një numër sistematik abuzimesh, mundet që eventualisht, si masë e fundit, vizat të rivendosen.

THC: Pra ju nuk mund të thoni se sa duhet të jetë ky numër abuzimesh?

Malmstrom: Jo, se sistemi as nuk është vënë në jetë. Kjo do të bëhet duke filluar nga data 15 dhjetor dhe jam e sigurt se me fushatën informuese të qeverisë, me këtë mesazh shumë-shumë të qartë, nuk do të ketë abuzime. Por është e rëndësishme të mbahet parasysh se ekziston edhe ai mekanizëm kontrolli, le të themi “mekanizëm bërthamor”, por jam gjithashtu e ndërgjegjshme se pjesa më e madhe e njerëzve nuk do të abuzojë.

TCH: Zonja Malmstrom, ju jeni këtu në shenjë shqetësimi. A mendoni se qeveria shqiptare ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të sensibilizuar opinionin publik?

Malmstrom: Nuk jam e shqetësuar. Jam shumë kënaqur sot. Është një mesazh gëzimi që iu sjell qytetarëve shqiptarë. Dhe ne patëm shumë kontakte me zotin Basha nga qeveria dhe jam shume e kënaqur me fushatën që po planifikojnë, një pjesë të cilës e kanë zhvilluar ndërkaq. Nuk jam e shqetësuar, dua vetëm të nënvizoj se nuk duhen patur abuzime dhe se kjo është një mundësi, është një liri, por duhen njohur gjithashtu edhe limitet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA