Bizneset që nuk regjistrojnë aktivitetin e tyre në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, do të penalizohen me masa të forta administrative.
Ministria e Financave, në bashkëpunim me administratën tatimore, ka përpiluar një draft-projektligj mbi disa ndryshime te “Procedurat tatimore”, sipas të cilave subjekteve që konstatohen se kryejnë aktivitet do të ndëshkohen me gjoba dhe bllokim veprimtarie për gjashtë muaj.
Në ligjin aktual, subjekteve që kapeshin të paregjistruara në QKR u vendosej një afat prej 15 ditësh për të kryer procedurat dhe paguar detyrimet.
Drafti u ka shkuar për mendim grupeve të interesit, ku pritet të ketë shumë debate, pasi janë vendosur disa ndryshime mbi formën e regjistrimit, ndëshkimet për kasat, kontributet etj.
Konkretisht, te neni 41 i ligjit “Për procedurat tatimore”, ku flitet për “Identifikimin e personave që ushtrojnë veprimtari tregtare pa u regjistruar”, pika 2, nga “Këta persona detyrohen që brenda 15 ditëve nga identifikimi i tyre nga administrata tatimore, të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Nëse personi nuk regjistrohet brenda afatit të parashikuar nga ky paragraf, atij i mbyllet veprimtaria dhe nuk mund të regjistrojë veprimtari tjetër për një periudhë prej gjashtë muajsh”, bëhet: “Nëse personi konstatohet i paregjistruar, atij i bllokohet menjëherë veprimtaria dhe nuk mund të regjistrojë veprimtari tjetër, për një periudhë prej gjashtë muajsh”.
Tjetër ndryshim, po në nenin 41, prek pikën 3, ku nga “Derisa të përfundojë regjistrimi i tyre në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, administrata tatimore përllogarit dhe mbledh detyrimin tatimor, si dhe gjobat administrative në përputhje me këtë ligj”, bëhet sipas variantit të ri në: “Administrata tatimore llogarit, vlerëson dhe mbledh detyrimin tatimor, si dhe gjobat administrative, në përputhje me këtë ligj, për periudhën gjatë së cilës ka kryer aktivitet tregtar pa u regjistruar”.
Kurse pika 4, që flet për detyrën e tatimeve për të llogaritur, vlerësuar dhe mbledhur detyrimet tatimore gjatë periudhës deri në përfundimin e procesit të regjistrimit nga personi, sipas draftit, do të shfuqizohet.
Top Channel