Pas vendimit për heqjen e vizave, kryeministri Sali Berisha po tregohet i pakursyer jo vetëm të ndajë gëzimin me qytetarët, por edhe t’u tregojë atyre se merita për këtë arritje, sic pohon ai, është vetëm e qeverisë dhe aspak e opozitës.
Ky ishte argumenti kryesor i takimit të kryeministrit Berisha me banorët e komunës Kallmet, në Lezhë, ku shefi i qeverisë akuzoi drejtpërsëdrejti kreun e opozitës se me protestat dhe grevën e urisë para vendimit të Komisionit Europian në maj, u përpoq të bllokonte lëvizjen e lirë për shqiptarët.
“Këta shokë donin me çdo kusht që për të ndëshkuar Sali Berishën, të ndëshkonin secilin prej jush, të bllokonin vizat për ju. Prandaj e ftoj sot nga kjo platformë, kërkoi të falur çdo shqiptari, kërkoju të falur qindra dhe mijëra të rinjve shqiptarë, të cilëve deshe t’u ndalosh Evropën. Kërkoju të falur qindra dhe mijëra nënave shqiptare, kërkoju të falur që të mund t’u dëshmosh shqiptarëve që ke sensin e pendesës”, ka deklaruar Berisha.
Sipas kryeministrit, vizat u hoqën sepse axhenda e qeverisë së tij u përqendrua tek interesi i qytetarëve për të përmirësuar jetesën e tyre dhe për të arritur standartet më të mira europiane.
“Axhenda e kësaj qeverie jeni ju, të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptare. Të mos mendojë kush se mund të më zhvendosë mua në një axhendë tjetër, përveç asaj që është interesi jetik për ju. Interesi jetik për ju ishin vizat. Ne i hoqëm ato. Axhenda ime e madhe janë rrogat tuaja, pensionet tuaja. Axhenda ime janë rrugët, shkollat, kanalizimet, ujësjellësat”, ka pohuar Berisha.
Në Kallmet, kryeministri inauguroi rikonstruksionin e rrugës, deri atëherë gati të pakalueshme, që lidh Lezhën me Vaun e Dejës dhe ku përfitues të drejtpërdrejtë janë, sic tha zoti Berisha, 30 mijë qytetarë të 8 komunave dhe bashkive.
Duke deklaruar se ambicia e qeverisë është ndërtimi në Shqipëri i rrjetit më të mirë rrugor në Ballkan, kryeministri gjeti rastin për të krahasuar punën e qeverisë së tij me atë të bashkisë së Tiranës.
“Sot ne inaugurojmë së bashku një rrugë 34 kilometra, një rrugë e cila në kilometra është 3 herë më shumë se sa çka ndërtuar rrugë në kryeqytetin e vendit kryetari aktual i 20 përqindshit”, është shprehur Berisha.
Duke e sfiduar kreun e opozitës Edi Rama për zgjedhjet e ardhshme lokale, kryeministri tha se nuk do të pranojë prej tij asnjë ofertë që bie ndesh me Kushtetutën.
“Unë ju garantoj ju se kam respekt dhe respektoj opozitën, por nuk mundem të përkulem para interesave tuaja jetike. Nuk mundem unë të përkulem, të dhunoj ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Jo dhe jo. Dua t’i them pak shokut Rama se zgjedhjet po vijnë dhe dua t’u them shqiptarëve se do të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kam besimin më të madh se qytetarët e Tiranës do të japin ty në emër të qytetarëve të të gjithë Shqipërisë atë që meriton”, ka shtuar Berisha.
Top Channel