Vetëm një ditë pasi PDK-ja dorëzoi listen e kandidatëve për deputetë në KQZ, zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparks tha se PDK-ja nuk bëri mirë që vendosi në listë dy persona që janë nën hetime, Fatmir Limajn e Azem Sylën.

Këta dy persona janë duke u hetuar nga EULEX-i për vepra të jashtëligjshme.

Sparks tha se në aspektin ligjor askush nuk është i fajshëm përderisa gjykata nuk e vendosë të kundërtën, por ai shprehu mendimin e tij personal.

“Mbi të gjitha çdonjëri duhet t’i pranojë parimet e përgjithshme se çdokush është i pafajshëm, derisa nuk është shpallur fajtor. Sidoqoftë, personalisht mendoj se do të ishte e ndershme dhe më mirë për imazhin e Kosovës, nëse njerëzit të cilët janë nën hetime dhe janë subjekt i proçedurave gjyqësore, të mos futeshin në garë si përfaqësues të popullit, derisa emri i tyre të qartësohej”, është shprehur Ansy Sparks.

Por e menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja e Fatmir Limajt.

“Besoj që nuk ka nevojë për sqarime, këtu i jep sqarimet ligji. Ne i përmbahemi ligjit, e jo disponimeve të individëve dhe vazhdojmë ashtu siç është ligji”, tha Limaj.

Deklarata e Sparks erdhi pas një takimi me zëvendëskryeministrin në largim Hajredin Kuçi, i cili tha se Limaj e Syla janë të pafajshëm dhe nuk kanë asnjë vendim nga gjykata.

“Është një parim i njohur juridik ndërkombëtar, i mbështetur nga e tërë bota se çdokush është i pafajshëm, derisa gjykata ta vërtetojë një gjë të tillë. Dhe të dy personat që përmendet ju janë të pafajshëm dhe s’kanë asnjë vendim nga gjykata”, theksoi Kuçi.

Ish komandanti i UÇK-së, Azem Syla, është nën hetime nga EULEX-i pasi emri i tij përmendet në CD-në e Nazim Bllacës, ky i fundit, i vetëdeklaruar si agjent i SHIK-ut, që kishte thënë se ka kryer krime derisa punonte si agjent i këtij shërbimi.

Kurse ministri Fatmir Limaj është nën hetime nga EULEX-i nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe për korrupsion, duke iu bastisur zyrat e ministrisë që ai drejton.

Top Channel