Pas njoftimeve për një rrjet ndërkombëtar të trafikut të organeve në Kosovë, EULEX sqaron zyrtarisht se aktpadia përkatëse është depozituar në Gjykatën e Qarkut, në Prishtinë.

Në një deklaratë të zëdhënëses së EULEX-it në Prishtinë, Kristina Herodes thuhet se në lidhje me çështjen “Medikus” po pritet vendimi për seancën dëgjimore.

Aktpadia, sipas saj, është dorëzuar në datë 15 dhe 20 tetor. Ndaj pesë personave rëndojnë akuza për trafik organesh njerëzore, krim të organizuar dhe abuzim me pushtetin dhe ndaj dy personave, për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit mjekësor.

Prokuroria Speciale e Kosovës paditi një numër mjekësh dhe një ish zyrtar të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë sqaron më tej në komunikatë zëdhënësja Herodes.

Njoftimi i zyrës për shtyp të EULEX-it erdhi pas një lajmi të publikuar nga agjencia amerikane e lajmeve “Asociated Press” mbi shtatë persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar organesh në Kosovë.

Agjencia citonte një aktpadi të marrë nga burime brenda EULEX-it që thoshte se të dyshuarit janë pjesë e një rrjeti të gjerë, i cili trafikonte njerëz në Kosovë me qëllim që t’u hiqte organe dhe t’i transplantonte të persona të tjerë.

Në dokument citohet prokurori i EULEX-it, Xhonatan Retell i cili thotë se në bazë të hetimeve u zbulua se 20 shtetas të huaj u rekrutuan në vitin 2008 me premtime të rreme për pagesa.

Sipas dokumentit të siguruar nga AP, viktimat që rekrutoheshin në vende të tjera, transportoheshin në Kosovë përmes aeroportit të Prishtinës. Atyre u ishin premtuar mbi 20 mijë dollarë, ndërsa personat të cilëve do t’u transplantoheshin organet duhet të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë euro.

Viktimave të cilëve u kërkohej veshka ishin nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia dhe sipas EULEX-it, ishin persona që jetonin në varfëri ekstreme dhe në nevojë për para.

Pesë shtetas të Kosovës përfshi një ish zyrtar të lartë të Ministrisë së Shëndetësis, Ilir Rrecaj, dyshohen për 5 vepra që nga trafikimi i personave deri te ushtrimi i paligjshëm i aktivitetit mjekësor dhe abuzim pushteti njofton AP. Askush prej tyre nuk është në paraburgim.

Ndërkohë që në lidhje me këtë çështje kërkohen nga INTERPOL-i edhe mjeku turk Yusuf Sonmez dhe një qytetar izarelit Moshe Harel.

Në krye të rrjetit dyshohet se ishin pikërisht këta të fundit dhe kirurgu kosovar Lutfi Dervishi bën të ditur AP.

Ndërhyrjet kirugjikale kryheshin nga Dervishi dhe Sonmez në klinikën “Medicus” në Prishtinë, e cila menaxhohej nga Arban Dervishi, i biri i kirurgut Lutfi Dervishi.

Ndërsa shtetasi izraelit Harel ishte i ngarkuar me identifikimin, rekrutimin dhe transportimin e viktimave si dhe sigurimin e dërgesave të parave me anë të transfertave bankare elektronike përpara operacioneve.

Nën hetim ndodhen gjithashtu edhe dy mjekë të tjerë Sokol Hajdini and Driton Jilta. Klinika private “Medicus” u mbyll në fillim të hetimeve në vitin 2008. Asnjë nga të dyshuarit e ndaluar nuk i pranoi atëherë akuzat.

Top Channel