Arritjet në raportin e progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian, në Prishtinë janë vlerësuar në mënyra të ndryshme.

Zyrtarë qeveritarë raportin për vitin 2010 në mënyrë të përgjithshme e kanë konsideruar shumë më pozitiv sesa atë të vitit te kaluar.

“Raporti shënon shumë progrese, por sfida. Megjithatë, është një raport shumë më i mirë se ai i vitit të kaluar”, ka deklaruar Besim Beqaj, ministër në largim i Integrimeve Evropiane.

Megjithatë, sipas Beqajt, mbetet shumë për t’u bërë në fusha të ndryshme, e veçmas në luftën kundër korrupsionit, megjithëse në këtë drejtim është shënuar progres.

Në anën tjetër, shoqëria civile e ka vënë theksin te ngecja në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, ka mungesë të vullnetit politik për të shënuar përparime në këtë fushë. Në KDI kanë fajsuar politikanët për konstatimet e raportit.

“Për këtë raport fajtorë janë politikanët tanë, sepse ata drejtojnë institucionet tona”, ka deklaruar Esat Mazreku, aktivist i KDI-së.

Ndërsa, profesori i integrimeve evropiane, Avni Mazreku, përmend përparimet dhe ngecjet sipas Raporti të Progresit për vitin 2010.

“Kosova vlerësohet me progrese, por ka edhe pjesë që vlerësohet negativisht, si për krimin e organizuar”, ka thënë Mazreku.

Çdo vit Komisioni Evropian publikon një raport të progresit për vendet e rajonit që kanë ambicje për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Në 2009-ën shoqëria civile kishte kritikuar institucionet vendore, saqë Raportin e Progresit për Kosovën e patën quajtur si “Raport të Regresit”.

Top Channel