Maqedonia duket optimiste pas raportit të fundit të Brukselit. Kryeministri Nikolla Gruevski tha se qeveria e Shkupit ka marrë vlerësime pozitive në përgjithësi dhe vërejtjet e tjera, që ai i cilësoi të vogla, do të bëhen pjesë e punës së qeverisë për t’i përmbushur.

“Raporti përmban në pjesën më të madhe të tij vlerësime pozitive si dhe një pjesë të rekomandimeve për fusha ku janë të nevojshme përpjekjet shtesë për të mundësuar një përparim më konkret. Si qeveri do të përkushtohemi për përmbushjen e të gjitha rekomandimeve KE nënvizon në këtë raport”, deklaroi kryeministri maqedonas pas marrjes së raportit, Nikolla Gruevski.

Raporti i KE-së për Maqedoninë vëren ngecjen e reformave në administratë, lirinë e medias, pavarësinë e gjyqësorit dhe dialogun politik.

Në raport nënvizohet gjithashtu edhe nevoja për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit si element thelbësor për demokracinë në vend.

Gjithësesi problem kryesor për Maqedoninë në rrugën e anëtarësimit në BE mbetet çështja e emrit.

Top Channel