Komisioni Europian në raportin e progresit për Kosovën për vitin 2010 shpreh shqetësimin për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mungesës së lirisë së shprehjes, papunësisë sidomos tek të rinjtë dhe marrëdhënieve tregtare të Kosovës me shtetet e tjera.

Këto janë disa nga rezultatet e raportit të progresit për këtë vit, ndërkaq shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Europian në Prishtinë, Renzo Davidi tha se janë shënuar edhe disa përparime. Ai këtu përmendi progresin e shënuar në procesin e decentralizimit, zgjedhjet lokale në fund të vitit 2009. Ndërkaq themelimi i Ministrisë së Integrimit sipas tij dëshmon përkushtimin e autoriteteve kosovare për integrim në Bashkimin Europian.

Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, zoti Davidi përmendi deklaratën e komisionerit për zgjerim të BE-së zotit Shtefan Fyle i cili tha se me Kosovën shumë shpejt do të hapet dialogu politik për vizat.

Shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Europian nuk foli për afate konkrete se kur Kosova mund të marrë strategjinë, por ai tha se kjo mund të bëhet sapo  institucionet përkatëse t’i plotësojnë kriteret e nevojshme.

Plotësimin e kritereve teknike Renzo Davidi e vuri edhe përpara problemit politik që ka Kosova me pesë shtetet e Bashkimit Europian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë.

Top Channel