
Projektbuxheti i vitit të ardhshëm ka përplasur në Komisionin e Ekonomisë ministrin e Financave dhe deputetët e opozitës.
Deputetja Mimi Kodheli tha se drafti i qeverisë është jo real dhe minon stabilitetin stabilitetin ekonomik të vendit.
“Nese marrim per baze udhezimet e FMN-së, deficiti buxhetor për 2011 nuk do te ishte 3.5 perqind e GDP-së, por 5.5 perqind dhe ky do te ishte nje problem shume i madh per ekonomine”, tha Kodheli.
Ndërkohë ministri Ridvan Bode theksoi se rritja ekonomike do të përshpejtohet për shkak të përmirësimit të llogarisë korrente dhe burimeve të tjera.
Pika tjetër e nxehtë e debatit ishte ajo e deficitit dhe borxhit publik, i cili edhe për vitin e ardhshëm mbetet në 59 për qind e PBB-së edhe pse qeveria është zotuar ta ulë atë në 54 për qind në fund të 2013.
“Ke problemin e deficitit 3.5. Të eshte kerkuar, te eshte imponuar dhe nuk ke arritur te bindesh kryeministrin tend qe duhet te ishte me i ulet”, tha ish-ministri i Financave, Arben Malaj.
Dy ministrat e fundit të Financave kanë mendime të kundërta edhe për shpërndarjen e fondeve publike
“Mendoni se vetëm me rrugë do ta ushqeni rritjen ekonomike? Mbështetja për arsimin po shkon në të njëjtin nivel me 2005, e njëjta gjë edhe për shëndetësinë dhe për bujqësinë”, tha Malaj.
Ministri Bode u përgjigj se “është e vërtetë që ka cedencë, por kjo është bërë për shkak të rritjes së qënësishme të Fondit të Zhvillimit të Rajonit dhe të rritjes së investimeve publike”.
Për vitin e ardhshëm qeveria planifikon që të shpenzojë 409 miliardë lekë përmes buxhetit, me një rritje prej 10 për qind krahasuar me këtë vit.
Top Channel