Ndryshe nga Shqipëria, Bosnja nuk duket se do të organizojë ndonjë festë të vecantë pas vendimit për liberalizimin e vizave.

I intervistuar nga Top Channel, ministri boshnjak për Sigurinë, Sadik Ahmetovic foli për një ditë të madhe për vendin e tij, por shtoi se qeveria nuk do të tregohet euforike, pasi ky është vetëm fillimi i rrugës drejt Bashkimit Europian.

“Pas fundit të luftës kjo është arritja më e madhe. Ne mund të tregojmë se i përkasim shoqërisë evropiane. Por s’ka arsye për të qenë euforikë. Qëllimi ynë madhor është statusi i kandidatit. Festimi do të vijë kur të hyjmë në BE”, ka deklaruar Ahmetovic.

Ai i ka cilësuar si dicka normale masat e marra nga vendet e BE për parandalimin e ndonjë fluksi azilkërkuesish dhe ka dhënë garancinë e tij se shteti boshnjak do bëjë gjithcka për respektimin e kritereve që vijnë pas heqjes së vizave.

“Ata që na e hoqën regjimin e vizave kanë të drejtë të kërkojnë nga ne detyrime dhe përgjegjësi. Garantoj se do plotësojmë të gjitha kushtet në “road map”-in tonë”, ka pohuar Ahmetovic.

Më tej ai ka shprehur bindjen e tij se nga Bosnja nuk do të ketë një fluks emigracioni drejt BE-së, duke qenë se edhe numri i pasaportave biometrike të shpërndara është ende i ulët.

“Nuk mendoj se do jetë një numër i stërmadh i njerëzve që do të përdorin këtë të drejtë. Ne kemi lëshuar 350 mijë pasaporta biometrike dhe vetëm këta njerëz mund ta përdorin atë”, ka shtuar Ahmetovic.

Intervistoi Arta Tozaj

Top Channel