Drashkoviç: Askush s’mund t’i ndalojë serbët të votojnë

08/11/2010 08:45

Lëvizja Serbe e Ripërtëritjes (SPO) ka vendosur njëzëri që të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të parakohshme që janë parashikuar të zhvillohen më 12 dhjetor të këtij viti në Kosovë, është vendimi i Këshillit Drejtues të kësaj partie, kryetar i së cilës është politikani i njohur serb, Vuk Drashkoviç, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë.

Duke argumentuar vendimin e partisë së tij për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës, ndërkohë që Beogradi zyrtar ende nuk e ka përcaktuar qëndrimin e tij final nëse do t’u kërkojë serbëve të marrin pjesë ose jo në zgjedhjet kosovare, kryetari i SPO-së, Drashkoviç, i cituar sot nga media serbe, vuri në dukje se “ne vlerësuam se pjesëmarrja në zgjedhje është në interesin më të madh të serbëve në Kosovë, se kjo pjesëmarrje është në përputhje me interesat kombëtare e shtetërore tona”.

Sipas tij, “nëse në dialogun e ardhshëm mes Beogradit dhe Prishtinës kërkesat e palës serbe do të synojnë garancitë europiane dhe statusin europian të serbëve në Kosovë, që serbët dhe komunat e administratat e tyre vetëqeverisëse të kenë lidhje të drejtpërdrejta kulturore, shpirtërore e ekonomike me shtetin serb, si dhe garancitë europiane për statusin e veçantë të trashëgimisë kulturore e fetare të popullit serb në këtë territor, atëherë është në interesin më të madh të popullit serb në Kosovë dhe të Serbisë që zëri i serbëve të dëgjohet edhe në Parlamentin në Prishtinë”.

Drashkoviçi konsideron se ky zë do të jetë shumë më i lartë nëse qeveria serbe vendos që t’u bëjë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës. “Nëse do të merrnim pjesë në zgjedhje, ne do të kishim rastin që të fitonim ndoshta edhe 30 mandate deputetësh nga 120 që ka gjithsej Parlamenti i Kosovës dhe kjo do të përbënte një forcë të madhe të serbëve, të popullit serb dhe të vetë Serbisë në Parlamentin kosovar”, theksoi ai, duke shtuar se, “për fat të keq, ende nuk kemi një vendim të tillë nga qeveria serbe”.

Në fund të prononcimit të tij, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të SPO-s, Drashkoviçi vuri në dukje se askush në Beograd nuk ka të drejtë që t’u kërkojë serbëve në Kosovë që ata t’i bojkotojnë zgjedhjet, sepse ajo është lufta e tyre për të drejtat e veta dhe se kjo luftë është në favor të interesave kombëtare dhe shtetërore. “Me keqardhje, ne vumë në dukje faktin se qeveria serbe, edhe mbas marrëveshjes së Presidentit Boris Tadiç me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikën e jashtme, Ketrin Eshton, dhe mbas miratimit të Rezolutës për Kosovën në OKB, akoma nuk u ka bërë thirrje serbëve kosovarë që të marrin pjesë në masë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, gjë që do t’i shërbente edhe pozitës bashkëbiseduese të Serbisë në dialogun e ardhshëm me autoritetet e Prishtinës”, vuri në dukje kryetari i SPO-s serbe.

Top Channel