Gjithçka i ngjante një  procesi demokratik kur Isa Mustafa dhe Fatmir Sejdiu u paraqitën sëbashku para delegatëve të Kuvendit të Shtatë Zgjedhor të LDK-së. E pas një fjalimi të Fatmir Sejdiut, anëtari i kryesisë së LDK-së Sabri Hamiti njoftoi se në garë për kryetar do të ishin dy kandidatë: ish-presidenti, Fatmir Sejdiu dhe kryetarin i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.(UPDATE)

Pas kësaj mediat u larguan nga salla ku po i zhvillonte punimet Kuvendi i shtatë i LDK-së. Tani ishte radha e delegatëve. Në një proçes votimi që zgjati rreth dy orë, delegatët me votën e tyre të fshehtë ia besuan Isa Mustafës drejtimin e partisë. Nga 359 delegatë sa ishin të pranishëm në sallë 234 prej tyre votuan për Isa Mustafën ndërkaq 125 për ish-presidentin Fatmir Sejdiu.

Në sallë pati duartrokitje të shumta por edhe urime për Mustafën nga ana e rivalit. Në fund të një fjalimi që emocionoi të pranishmit në sallë, por edhe vet kryetarin e deritanishëm, Fatmir Sejdiu, kryetari i porsazgjedhur i LDK-së Isa Mustafa propozoi zotin Sejdiu, Kryetar Nderi të LDK-së.

Zoti Mustafa më pas ftoi të gjithë veprimtarët që u larguan nga LDK më herët të kthehen në shtëpinë e vjetër. Pothuaj të njëjtën kërkesë kishte bërë  në fjalimin e tij edhe ish-kryetari Fatmir Sejdiu në fillim të punimeve të kuvendit.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë abstenuar për një kohë, të rikthehen në familjen e vjetër të tyre. Qeverisja viteve të fundit pësoi degradim. E kemi kritikuar qeverisjen e kaluar jo për motive personale, por sepse kam besuar që nuk është kjo qeverisja që i duhet vendit. Kjo nuk nënkupton se duhet të amnistojmë veten nga gabimet, por t’i pranojmë dhe të ecim përpara. Plani i LDK-së është i thjeshtë, është i zhvillimit ekonomik, mirëqënies, e mirëqeverisjes, vizioni për një Kosovë të re, europiane dhe shtet të zhvilluar e demokratik”, tha i sapozgjedhuri kryetar, Isa Mustafa.

Kryetari i porsazgjedhur i LDK-së, Isa Mustafa e merr këtë mandat në një kohë kur vendi është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, dhe përveç reformave brenda LDK-së, Isa Mustafa tha se synon ta nxjerrë LDK-në fituese në këto zgjedhje.

Kryetari i LDK-së tha se do të jetë bartës i listës së LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit. Kuvendi i shtatë zgjedhor zgjodhi këtë të dielë edhe 107 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për të vazhduar në një ditë tjetër me zgjedhjen e Kryesisë së Partisë.

Top Channel