Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe iniciativa qytetare “LDK-Ibrahim Rugova”, e shkëputur së fundmi nga LDK mirëpresin zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar të LDK-së.

Në një bisedë telefonike, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë Lulzim Zeneli tha se është fat i mirë që LDK përfundimisht u distancua nga një politikë që i ka sjellë dëm asaj dhe gjithë Kosovës. Duke aluduar në politikën e Fatmir Sejdiut, nënkryetari i LDD-së tha se ajo politikë ka përgjysmuar subjektin LDK.

Nga ana tjeter LDD shprehet e hapur për bashkëpunim me LDK-në e Mustafës. I pyetur nëse do të kthehen në shtëpinë e vjetër ashtu siç bëri thirrje sot kryetari i ri, Mustafa, Zeneli tha se LDD tashmë e ka ndërtuar shtëpinë e saj të re, por zgjedhja e Mustafës në krye të partisë ka hapur dyert e bashkëpunimit sepse siç tha ai, deri tani kanë qenë të mbyllura.

Nga ana tjetër si në udhëkryq duket se është iniciativa qytetare “LDK-Ibrahim Rugova”, lider i së cilës është djali i presidentit të ndjerë, Ukë Rugova. Anëtari i kësaj liste tha se është në pritje të një takimi me zotin Mustafa për të parë se si do të zhvillohen ngjarjet më tutje. Ai tha se do të kërkojë nga zoti Mustafa që të ketë kujdes gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të kryesisë së LDK-së, sepse me këtë kryesi që ka LDK-ja, bashkëpunimi sipas zotit Haraçija nuk do të jetë edhe aq i lehtë.

Astrit Haraçija tha se puna e listës “LDK-Ibrahim Rugova” nuk do të ndalet dhe do të garojë si listë e veçantë në zgjedhje.

Top Channel