Delegatët e kuvendit zgjedhor të LDK-së votojnë për të zgjedhur kryetarin e partisë.

Në garë për kryetar të LDK-së  u propozuan dy kandidatë, ish presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa. Votimi po bëhet në mënyrë të fshehtë dhe pa praninë e mediave.

Disa delegatë në kushte anonimiteti i thanë TOP Channel se deri më tani çdo gjë është në rregull dhe nuk ka pakënaqësi nga ana e delegatëve për procesin e votimit. Janë 365 delegatë të kuvendit zgjedhor,  vota e të cilëve do të përcaktojë se cili nga kandidatët do t’i prijë LDK-së në të ardhmen dhe në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit.

Para se të niste punimet kuvendi i LDK-së kryesia e kësaj partie mbajti mbledhjen e radhës. Marrëveshja e shumë pritur për tërheqje nga gara e zotit Sejdiu nuk u arrit edhe pas një takimi të përbashkët të Fatmir Sejdiut me Isa Mustafën mëngjesin e sotëm. Por rreth orës 11:15 që të dy u paraqitën së bashku në kuvend, ndoshta për të shfaqur unitetin në këtë parti.
 
Por me të hyrë në sallë delegatët treguan më shumë simpati ndaj Isa Mustafës duke thirrur emrin e tij. Kuvendi nisi me himnin e Ibrahim Rugovës dhe atë shtetëror. Të pranishëm ishin edhe ambasadori amerikan Christopher Dell dhe nënkryetari i parë i AAK-së Blerim Shala.
 
Në fjalën e tij kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu foli për gjendjen në të cilën ndodhet LDK-ja ndërkaq akuzoi të tjerët se janë munduar të krijojnë përçarje në këtë parti. Ai ftoi të gjithë ish veprimtarët e LDK-së që sipas tij janë larguar më herët të kthehen në shtëpinë e tyre.  Përveç zgjedhjes së kryetarit të partisë, në axhende kuvendi zgjedhor ka për detyrë zgjedhjen e këshillit të përgjithshëm, miratimit të raportit financiar dhe deklaratës politike.

Top Channel