Policia greke vazhdon të jetë në “alarm të kuq” prej frikës së akteve terroriste.

Burimet policore deklaruan se aktet e fundit të dhunës të ndodhura në vend janë pjesë e një plani të mirorganizuar të grupeve terroriste.

Sipas autoriteteve, sulmet e këtyre të fundit, pikërisht një javë përpara zgjedhjeve lokale, kanë pasur për qëllim destabilizimin e situatës parazgjedhore.

Burimet sqarojnë se nuk është hera e parë që tentohet një ndërhyrje e tillë në çështjet politike të vendit, qoftë edhe nëpërmjet bombave.

Edhe në të kaluarën, organizatat si “17 Nëntori” kanë shprehur qëndrime politike ndërsa disa prej aksioneve të tyre kanë krijuar jo pak dëm në imazhin e Greqisë në arenën ndërkombëtare.

Dërgimi i 15 “pakove-bombë” në adresë të ambasadave të huaja në Athinë nxorri në pah boshllëqet në sigurinë e liderëve politikë europianë dhe dërgesat postare ndërkombëtare.

Autoritetet vendase kanë paralajmëruar kompanitë korriere të marrin masa sigurie për dërgesat e tyre postare, në të kundërt do të përballen me pezullimin e licensave.

Masa sigurie shtesë janë marrë në ambasada, aeroporte, si dhe ndaj personaliteteve të ndryshme ndërsa agjentë të veshur civilë kanë shpeshtuar patrullimet pranë kompanive shumëkombëshe.

Top Channel