Prej orës shtatë të mëngjesit, ora lokale, janë hapur kutitë e votimit në Greqi. Rreth 9800000 grekë votojnë sot për kandidatët e pushtetit lokal duke zgjedhur 325 kryebashkiakë të rinj dhe 13 kryetarë të qarqeve sipas ndarjes së re administrative në vend. Gjithashtu do të zgjedhin 713 këshilltarë qarku dhe 9257 këshilltarë bashkie.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve konsiderohet tepër i rëndësishëm. Vetë kryeministri grek Papandreu deklaroi dje se ato janë një referendum për qeverinë e tij dhe ka kërkuar votëbesimin e bashkëqytetarëve të tij për vazhdimësinë e reformave dhe zbatimin e masave antikrizë.

Por, nëse në mbrëmjen e së dielës do të rezultojë që vota e tyre do të jetë një mesazh proteste, ai ka deklaruar hapur se në këtë rast vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ky paralajmerim ka rritur zërat brenda dhe jashtë Greqisë se vendi, pavarësisht masave, po shkon drejt një falimentimi të sigurt.
Për herë të parë në këto zgjedhje votojnë vetëm për kandidatët e bashkive edhe emigrantët shqiptarë të cilët janë të pajisur me leje afatgjatë qëndrimi dhe kanë mundur të regjistrohen në listat e votimit në afatin e duhur.
 
Kutitë e votimit mbyllen në orën 7 të mbrëmjes ndërsa rreth orës 21 e 30, ora lokale, priten rezultatet e para zyrtare të numërimit të 10% të votave në rang vendi.

Top Channel