
Delegatët e Kuvendit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës votuan për të zgjedhur kryetarin e partisë. Në garë për kryetar të LDK-së u propozuan dy kandidatë, ish-presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
Votimi u bë në mënyrë të fshehtë dhe pa praninë e mediave. Disa delegatë në kushte anonimiteti i thanë Top Channel se deri më tani çdo gjë është në rregull dhe nuk ka pakënaqësi nga ana e delegatëve për proçesin e votimit.
Janë 365 delegatë të Kuvendit Zgjedhor, vota e të cilëve do të përcaktojë se cili nga kandidatët do t’i prijë LDK-së në të ardhmen dhe në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit.
Para se të niste punimet kuvendi i LDK-së kryesia e kësaj partie mbajti mbledhjen e radhës. Marrëveshja e shumëpritur për tërheqje nga gara e zotit Sejdiu nuk u arrit edhe pas një takimi të përbashkët të Fatmir Sejdiut me Isa Mustafën mëngjesin e sotëm.
Por rreth orës 11:15 që të dy u paraqitën së bashku në kuvend, ndoshta për të shfaqur unitetin në këtë parti. Por me të hyrë në sallë delegatët treguan më shumë simpati ndaj Isa Mustafës duke thirrur emrin e tij.
Kuvendi nisi me himnin e Ibrahim Rugovës dhe atë shtetëror. Të pranishëm ishin edhe ambasadori amerikan Christopher Dell dhe nënkryetari i parë i AAK-së Blerim Shala.
Në fjalën e tij kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu foli për gjendjen në të cilën ndodhet LDK-ja ndërkaq akuzoi të tjerët se janë munduar të krijojnë përçarje në këtë parti. Ai ftoi të gjithë ish-veprimtarët e LDK-së, që sipas tij janë larguar më herët të kthehen në shtëpinë e tyre.
Përveç zgjedhjes së kryetarit të partisë, në axhende kuvendi zgjedhor ka për detyrë zgjedhjen e Këshillit të Përgjithshëm, miratimit të raportit financiar dhe deklaratës politike.
Në këto momente është duke u zhvilluar numërimi i votave.
Top Channel