
Kur kanë mbetur më pak se 24 orë nga kuvendi zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës shtohen gjasat që kryetari aktual i saj, Fatmir Sejdiu të mos kandidojë sërish.
E shtuna ka qenë një ditë e ngarkuar me mbledhje në selinë e LDK-së në Prishtinë. E megjithëse burime brenda kësaj partie thonë për Top-Channel se zoti Sejdiu nuk do të hyjë në garën për kryetar duke ia lënë vendin Isa Mustafës, protagonistët vazhdojnë të heshtin dhe ende nuk ka një konfirmim zyrtar.
Pas një takimi që zgjati pothuajse 7 orë mes Isa Mustafës dhe Fatmir Sejdiut, ky i fundit bëri vetëm këtë deklaratë kur doli nga selia:
“Përshëndetje! Rezultatet janë përgatitjet e mira të kuvendit të LDK-së që do të mbahet nesër. Do të jetë një proces i mirë. Përshëndetjet më të mira”, është shprehur Sejdiu.
Ajo që dihet zyrtarisht, sipas sekretarit të përgjithshëm të LDK-së Ramë Manaj, është se Fatmir Sejdiu ka hequr dorë që të konkurrojë për deputet në Kuvendin e Kosovës, pra kësisoj nuk do të jetë bartësi i listës së kësaj partie në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Dhe mesa duket edhe këtë mister do ta zgjidhë kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që nis të dielën në orën 11.
Top Channel