Kur kanë mbetur dy ditë nga Kuvendi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës ende nuk ka një kandidat të shpallur për kryetar partie.

I vetmi qe e kishte deklaruar publikisht synimin e tij, Bujar Bukoshi, u tërhoq për t’u bërë pjesë e një tjetër grupimi në LDK.

Kryetari aktual i kësaj partie Fatmir Sejdiu  gjendet përballë kërkesave nga një pjesë simpatizantësh të LDK-së, por dhe një bombardimi mediatik, për t’u mënjanuar dhe për t’ia lënë vendin kryetarit të Prishtinës Isa Mustafa.

“vërtet është përcjellë me një kureshtje të veçntë. Unë sot u thashë edhe diçka kryetarëve të degëve, një interesim kaq i madh i mediave sikur të ishim në zgjedhjet parlamentare kombëtare, unë do të marr vendimin tim të cilin do ta transmetoj në kuvendin e partisë. Dua të jem besnik ndaj asaj që kam thënë që në fillim”, deklaroi para mediave kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Nga ana tjetër nën të njëjtin presion është gjendur edhe kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, i cili ka zgjedhur rrugën e heshtjes deri në kuvend, edhe pse burime nga kjo parti lënë të kuptohet se disa degë të LDK-së do ta propozojnë zotin Mustafa për kryetar.

Rrjedhoja më  e dukshme e zhvillimeve të brendshme në LDK ishte krijimi i listës “LDK – Ibrahim Rugova” e cila u regjistrua këtë të premte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Anëtar të kësaj iniciative pranojnë se arsyeja e mos  regjistrimit të saj deri në këtë kohë është se kanë pritur se po tërhiqet Fatmir Sejdiu nga gara.

“Ju i dini zërat e qytetarëve dhe të anëtarëve të LDK-së se tërheqja e zotit Sejdiu është e domosdoshme për shpëtimin e partisë”, u shpreh përfaqësuesi i listës “LDK-Ibrahim Rugova”, Dardan Stublla.

Por antarët e lëvizjes së re kanë deklaruar më herët se ata do t’i ribashkoheshin LDK-së nëse kryetar i saj zgjidhet Isa Mustafa.

Top Channel