Anti-terrorizmi grek vlerëson se ka ende një pako-bombë të dërguar nga grupet anarkiste dhe që ka si destinacion një ambasadë të Athinës.

Burime pranë policisë greke deklarojnë se agjentët janë pranë identifikimit të asaj që e quajnë “bomba e fundit në qarkullim”.

Kërkimet mbi pakon e fundit vijnë pas zbulimit të një liste me 15 objektiva, të gjetur në zotërim tek një nga dy anarkistët e arrestuar pak ditë më parë.

Pakot-bombë, të cilat kanë pasur si objektiv kryesisht ambasadat në kryeqytetin helen, kanë shkaktuar një panik të vërtetë në Greqi.

Dy prej tyre janë shpërthyer nga policia para selisë së Parlamentit dhe para selisë diplomatike bullgare, ndërkohë që një tjetër ka shpërthyer në oborrin e ambasadës zvicerane.

Për të frenuar këto akte terroriste qeveria greke ka pezulluar shërbimin e postës ajrore, duke qenë se disa pako kishin si destinacion kancelaritë e huaja.

Top Channel