Presidenti i përkohëshëm i Kosovës, Jakup Krasniqi ka përsëritur se Prishtina është e gatshme të hyjë në bisedime me Beogradin, por vetëm pas zgjedhjeve të reja.

“Mendoj se jemi të gjithë dakord se institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e reja duhet të marrin përsipër përgjegjësinë për këto bisedime”, ka deklaruar Krasniqi.

Deklaratën e tij ushtruesi i detyrës së presidentit e ka bërë sot, pas një takimi me eurodeputeten Doris Pack, e cila po qëndron në Prishtinë.

Edhe zyrtarë të tjerë kosovarë, përfshirë këtu përfaqësues të partive opozitare, kanë vlerësuar se koha më e mirë për bisedime me Serbinë është pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, në një letër dërguar shefes së Politikës së Jashtme të BE Catherine Ashton, Krasniqi i ka bërë ftesë Unionit që të dërgojë vëzhguesit e vetë për zgjedhjet.

Top Channel