Zgjedhje të lira të drejta dhe demokratike kërkon përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Peter Faith.

Gjatë një vizite në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Faith theksoi se rezultati i zgjedhjeve duhet të jetë tregues i mirë në mënyrë që të përmirësohet imazhi i Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

Ai kërkoi të respektohen ligjet  dhe pas përfundimit të procesit zgjedhor partitë politike të pranojnë zgjedhjet të cilat do të certifikohen nga KQZ-ja.

“I kam tre mesazhe. E para është që këto zgjedhje duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kjo është e rëndësishme për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Është një sfidë për shkak të kohës së shkurtër veçanërisht nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor, por qëllimi i vizitës është që t’i shpreh përkrahje KQZ-së dhe institucioneve. Mesazhi i dytë është se ne si BE do t’i monitorojmë dhe asistojmë bashkë me miqtë tanë amerikanë, KFOR-in dhe EULEX-in që të sigurojmë ambient të sigurt në këto zgjedhje dhe të kemi një numër sa më të madh të pjesëmarrësve. Presim një rezultat të mirë prej të gjithë pjesëmarrësve përfshirë edhe serbët dhe në fund këto zgjedhje duhet të jenë të standardeve më të larta ndërkombëtare . I bëj thirrje të gjithë liderëve politikë që t’i binden dhe të respektojnë ligjin t’i binden ligjit dhe të sigurojnë që zgjedhjet të mbahen në një ambient të lirë. Duam që rezultati i këtyre zgjedhjeve të forcojë reputacionin  e Kosovës në nivel ndërkombëtar”, u shpreh përfaqësuesi special i Bashkimit Europian në Kosovë, Peter Faith.

Ndërkohë në fjalën e saj para mediave, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka u shpreh se institucioni që ajo drejton është gati për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor sipas Kushtetutës dhe ligjit mbi zgjedhjet.

Top Channel