Deputetët  e Kuvendit të Kosovës me 101 vota pro i kanë dhënë dritën jeshile ligjit të punës, i cili pritet të hyjë në fuqi prej 1 janarit të vitit të ardhshëm.

Ligji parasheh që pushimi i lehonisë siç njihet leja e lindjes të jetë një vit, gjashtë plus gjashtë. Gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë do t’i paguajë punëdhënësi respektivisht 70 % të pagës.  Ndërsa 6 muajt e tjerë 50% të pagës mesatare në Kosoveë do t’i paguajë Qeveria e Kosovës.

Ligji gjithashtu pritet t’i rregullojë edhe  të drejtat e punonjësve në Kosovë. Me ligjin e punës parashihet që pushimi javor për çdo punonjës të jetë dy ditë brenda javës duke përfshirë të gjitha institucionet dhe kompanitë qoftë private apo publike.

Po kështu, parashihet sigurimi shëndetësor i punonjësve dhe përgjegjësitë e rrepta të punëdhënësve ndaj punëmarrësve.

Ky ligj mbase është vlerësuar i domosdoshëm që gjatë ditëve të ardhshme të mos ndodhin protestat e paralajmëruara sindikale, ose bojkotimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Mungesa e miratimit të këtij ligjit të punës në dhjetë vitet e fundit në Kosovë jo rrallë herë ka shkaktuar protesta të shumta.

Top Channel