
Shqipëria thellon vështrimin e vet diplomatik përtej kufijve europianë. Vizita e ministrit të Jashtëm të Republikës së Maldiveve dje në Tiranë, Ahmed Shaheed, ka dëshmuar një orientim të tillë qoftë edhe referuar pritjes së bërë me këtë rast.
Arsyet e këtij afrimi të “panatyrshëm” për traditën e diplomacisë shqiptare e ka dhënë për mediat ministri i Jashtëm i vendit tonë, Edmond Haxhinasto, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij.
“E falënderova në mënyrë të veçantë për kontributin e jashtëzakonshëm që ai dhe vendi i tij kanë dhënë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për të ndikuar edhe në vendet e tjera… Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka marrë një aksion për rivitalizimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet e botës. Kemi hartuar një axhendë konkrete midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maldiveve, e cila konsiston në bashkëpunimin më intensiv politik në nivel dypalësh, por dhe shumëpalësh në kuadër të organizatave ndërkombëtare”, deklaroi Haxhinasto.
Kështu, hapja drejt vendeve të reja duket të jetë bërë pjesë e punës së Ministrisë së Jashtme, katalizator i së cilës me sa duket është bërë sfida diplomatike për Kosovën. Nga ana e tij, Shaheed ka konfirmuar klimën e mirë të marrëdhënieve duke bërë të njohur ndërkohë edhe ofertën e Maldiveve për të punësuar qytetarë shqiptarë në këtë vend.
Por roli i këtij shteti në njohjen e Kosovës ka përcjellë peshën e vet përmes aktit të dekorimit që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka bërë ministrit të Jashtëm, Shaheed. “Në vlerësim të kontributit të zotit Shaheed në ndihmë të Shqipërisë dhe Kosovës dhe promovimit të shtetit të ri të Kosovës nëpërmjet rritjes së numrit të vendeve që njohin pavarësinë e saj, i dorëzoi ministrit të Jashtëm të Maldiveve “Medaljen e Mirënjohjes” me këtë motivacion: “Për kontribut të veçantë në drejtim të promovimit dhe forcimit të paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit në rajonit e Ballkanit”, njofton presidenca shqiptare lidhur me këtë veprim që dëshmon se vështrimi i shtetit shqiptar për Kosovën kalon nga interesa të unifikuara pavarësisht ekzistencës së dy shteteve.
Top Channel