Policia greke publikoi fotot e dy personave të arrestuar mesditën e së hënës në kryeqytet, pak minuta pas shpërthimit të një bombe të vendosur në një pako postare.

Organet greke të rendit u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të njoftojnë nëse i shohin ose kanë ndonjë informacion për dy të ndaluarit. Me këtë ato synojnë të gjejnë bazën e terroristëve. Hetimet janë shtrirë edhe në Selanik dhe Patra, ndërsa policë të armatosur kontrolluan shtëpitë e disa të dyshuarve.

Dy të ndaluarit janë 22 dhe 24 vjeç. Njëri prej tyre është student në Fakultetin e Kimisë në Universitetin e Athinës, ndërsa tjetri është eksponent i njohur në rrethin e anarkistëve.                                 22 vjeçari ishte shpallur prej kohësh në kërkim si i dyshuari kryesor për bombëvënie në një autobus të policise, tre vite më parë.

Hetimet e organeve greke të rendit janë fokusuar drejtë organizatës “Komploti i celulave të zjarrit’’, një grup terrorist i  fajësuar për dhjetëra bombëvënie në Athinë.

Njëri prej zarfeve bombë kishte destinacion presidencën franceze, tjetri ambasadën e Meksikës në Athinë, një i tretë ambasadën e Holandës, ndërsa njëri do t’i dërgohej Jani Panusit, një prej englimatologëve më të njohur në vend, që ka marrë pjesë në shkatërrimin e disa celulave të kësaj organizate gjatë viteve të fundit.

Pak kohë më parë, forcat greke të sigurisë ndodheshin në fazën e alarmit të kuq nga frika e akteve terroiste prej anarkistëve, por edhe celulave terroriste islamike që veprojnë në vend.

Masa shtesë janë marrë në mbrojtje të disa prej ambasadave të huaja të vendeve të NATO-s, ndërsa burime të sigurta pranë ministrisë greke të mbrojtjes së qytetarit, i  thanë Top Channel se në listën e mundshme të objekteve që mund të përbëjnë objekt sulmi, është vënë kohët e fundit edhe ambasada Shqiptare në Athinë.                               

Top Channel