Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës mund të dështojë nëse ai nuk mbështetet nga deputetët e partisë së vetë kryeministrit Hashim Thaçi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar votën kundër mocionit, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës do të abstenojë.

“Si mister Bini, që i dërgon urime vetes për Krishtlindje dhe kënaqet. Kështu më duket se është edhe kjo”, është shprehur Eqerim Kryeziu, nënkryetar i LDK-së.

Në këtë mënyrë partisë së Bexhet Pacollit i nevojiten patjetër votat e partisë së Thaçit për të rrëzuar qeverinë e Thaçit e për ta çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Ne nuk do të votojmë dhe nuk mbështesim skenare që kanë për synim axhendë politike. Kjo qeveri do të rrëzohet vetë nesër”, theksoi Besnik Tahiri, anëtar i kryesisë së AAK-së.

“Ne na ka ndodhur një situatë që nuk e parashikon kushtetuta. Presidenti i vendit ka dhënë dorëheqjen, institucionin e dorëheqjes nuk ia njeh kushtetuta, vetëm atë të shkarkimit. Për këtë rast mbajtësi aktual i detyrës nuk është i autorizuar të shpërndajë parlamentin dhe nuk ka kompetencë bazë të kushtetutës. Vetëm kryetari i shtetit mund të kryejë këtë detyrë dhe për këtë ka shumë dispozita kontrakditore”, theksoi Mazllum Baraliu, profesor i të drejtës në Universitetin e Prishtinës.

Top Channel